Të nderuar vizitorë,


Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ju uron mirëseardhjen në faqen e saj zyrtare të internetit.

Në cilësinë e institucionit qendror përgjegjës në vend për mbarëvajtjen e sistemit të prokurimit publik, koncesioneve/partneritetit publik privat dhe ankandit publik, kemi treguar vëmendje të veçantë që në këtë faqe të pasqyrojmë çdo informacion që mund të konsiderohet i vlefshëm dhe ndihmues në punën tuaj të përditshme.

Përveç legjislacionit të përditësuar në këto fusha, në faqen e internetit gjenden të publikuara manuale, raporte të institucioneve ndërkombëtare dhe materiale të tjera, të cilat ndihmojnë në analizimin dhe interpretimin në praktikë të këtij legjislacioni.

Një rëndësi të veçantë në këtë faqe merr vendosja e sistemit të prokurimit elektronik, si dhe çdo e dhënë e lidhur me këtë proces. Përdorimi i sistemit elektronik garanton një proces transparent dhe siguron kushtet për një konkurrim të hapur dhe të paanshëm ndërmjet operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.

Në këtë sistem kryhen elektronikisht të gjitha procedurat e prokurimit publik, përfshirë prokurimet me vlerë të vogël, si dhe faza e parë e procedurave koncesionare/partneriteteve publike private, sipas parashikimeve legjislative përkatëse.

Çdo ditë të hënë, APP publikon Buletinin e Njoftimeve Publike, në të cilin gjendet informacion në lidhje me njoftimet e procedurave të prokurimit, koncesioneve/partneritetit publik privat dhe ankandeve publike, operatorët ekonomikë të përjashtuar nga pjesëmarrja në këto procedura, sipas periudhës së caktuar, si dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm për publikim.

Me qëllim lehtësimin e hapave që ndiqen në procedurat elektronike, në këtë faqe gjenden të publikuara udhëzimet dhe manualet e përgatitura nga APP, për të gjithë përdoruesit e sistemit elektronik dhe për çdo rol që ata kanë në proces.

Çdo informacion dhe dokument në faqen e internetit të APP është i disponueshëm pa pagesë.

Me qëllim efikasitetin e sistemit të prokurimit publik në nxitjen e transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, APP ju inkurajon të denonconi në adresën e postës elektronike (info.app@app.gov.al) çdo veprim që vjen në kundërshtim me legjislacionin përkatës dhe që cënon zbatimin e drejtë të tij, duke ju garantuar për ndjekjen e të gjitha hapave të parashikuara nga ligji.

Duke ju uruar punë të mbarë,


DREJTOR I PËRGJITHSHËM

Elona Hoxhaj